LAJME

Nxënësit e gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren transformojnë hapësirën shkollore me iniciativën e gjelbër

Nxënësit e gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren transformojnë hapësirën shkollore me iniciativën e gjelbër
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Mars 2026, 07:42

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se në kuadër të aktivitetit “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, nxënësit e gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren kanë ndërmarrë nismën konkrete për përmirësimin e hapësirave të tyre shkollore, duke dëshmuar se ndryshimi fillon nga veprimet e vogla lokale.

Sipas kësaj organizate, ky intervenim vjen si rezultat i angazhimit të tyre në Shkollën e Aktivizmit, ku pas sesioneve informuese, të rinjtë propozuan ide për intervenime të gjelbra në komunitetin e tyre.

“Njëra ndër këto ide u jetësua përmes revitalizimit të këndit të gjelbër brenda hapësirave të shkollës, i cili tashmë është shndërruar në një ambient më tërheqës, edukativ dhe frymëzues për të gjithë nxënësit. Përmes punës së përbashkët, nxënësit kontribuuan në rregullimin dhe zbukurimin e këtij këndi, duke shtuar elemente të gjelbra dhe duke krijuar një hapësirë që reflekton rëndësinë e natyrës në jetën e përditshme. Ky transformim jo vetëm që përmirëson estetikën e shkollës, por edhe shërben si një shembull i mirë i angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit” – shkruan EC Ma Ndryshe.

Tutje, EC Ma Ndryshe thekson se një dimension i veçantë i aktivitetit ishte edhe shprehja kreative e mesazheve mjedisore përmes pikturave dhe vizatimeve të realizuara nga vetë nxënësit. Sipas EC-it, këto punime artistike përcjellin mesazhe për mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e biodiversitetit dhe rëndësinë e kujdesit ndaj natyrës, duke e kthyer hapësirën shkollore edhe në një platformë të ndërgjegjësimit.

Siç bëhet e ditur, ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika