Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci ka thënë për RTKlive se maunet me mallra që kanë origjinë nga Serbia kanë qarkulluar pa ndonjë problem, por numri i tyre gjatë ditës së sotme ka qenë i vogël.
Ndërkohë në pikën kufitare në Merdar në orët e mbrëmjes ka qëndruar gazetarja e RTK-së Arlinda Sejda e cila tregoi se në pritje ka maune të tjera për të hyrë në Kosovë e që transportojnë mallra me origjinë nga Serbia.
Ajo tha t’i ketë pyetur vozitësit e mauneve të cilët pas një periudhe kohore po hyjnë sërish në Kosovë të cilët i kanë treguar se nuk ka pritje përpos ndryshimit të procedurave gjatë kontrollit.
Vetë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha sot gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdar, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.
Andaj, siç bëri të ditur ai me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare.