Kryeministri Albin Kurti, i pyetur në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se do të flasë pasdite nga Kryeministria.
“Do ta kemi një adresim pasdite nga Kryeministria” – tha Kurti për media, përderisa në takimin konsultativ të presidentes Osmani me partitë politike nuk mori pjesë fare, kurse krerët e partive opozitare morën pjesë.
Përndryshe, LVV-ja paralajmëroi se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas tyre, është antikushtetues.
Ky takim është thirrur pak orë pasi Osmani ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet duhet të caktohen brenda afatit 45 ditor nga shpërndarja e Kuvendit.
“Në përputhje kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit“- ka deklaruar ajo në konferencën për media më 06.03.2026, të thirrur një ditë pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.
“Për këtë arsye kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve me partitë politike. Natyrisht qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje këtë situatë e ka krijuar Kuvendi që ka dështuar për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”- ka deklaruar ajo.
Në seancën e mbajtur në orët e vona të 05.03.2026, 66 deputetë ishin prezentë në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të votohej në rundin e parë për president të Republikës së Kosovës, ndërsa 54 nuk ishin prezentë./Kallxo.com