Në mungesë të kuorumit, votimi i rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë është lënë për ndonjë seancë të radhës. Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri prezantoi gjashtë pikat e kësaj rezolute.
Si pika kryesore ishin që vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë dhe që Kuvendi të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së për siç është thënë mungesë profesionalizmi.
“Vendimi i ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së për mungesë profesionalizmi. Qeveria të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike linearisht për gjithë qytetarët dhe bizneset, Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike deri në përfundim të krizën energjike, Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siç e obligon Ligji për energji. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit”, tha Tahiri.
Tahiri u shpreh se diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri në mars të vitit 2023. Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, ndërsa që konsumojnë mbi 800kËh, preken nga rritja e çmimeve. Kilovati me tarifë të lartë do të jetë 12,5 centë pa TVSH dhe për tarifë të ulët 6.75 centë pa TVSH. /ksp