Për shkak se nuk përkrahjen e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të grumbulluar 2/3 e nevojshme, marrëveshja për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës.
Kjo marrëveshje nuk është miratuar pasi mori 75 vota për, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim.Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se vlera totale e kësaj marrëveshje pritet ta kap shumën deri në 47 milionë euro.Murati tha se kjo do t’ia mundësojë qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale.
“Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejt familjeve në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që të krijohet mundësia që të krijohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale në raport me nevojat e qytetarëve”, tha Murati.
Partitë opozitare përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë mbështetur këtë marrëveshje.
Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kjo marrëveshje lidhet me rishikimin e skemave sociale, por sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë të merret kredi për skema sociale.Hoti tha se nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje edhe pse sipas tij skemat sociale në Kosovë duhet të rishikohen, pasi Hoti thotë se ka qytetarë që i plotësojnë kushtet e nuk janë në skema sociale dhe anasjelltas.





