Zvicra e ka shtyrë zbatimin e planeve për lehtësimin e masave kufizuese, njoftoi të premten qeveria e këtij shteti. Vendimi u mor për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe progresit të pamjaftueshëm në fushatën e vaksinimit.
Fillimisht, Zvicra kishte planifikuar që nga e hëna t’i lejonte organizimet në mjedis të hapur, si lojërat e futbollit dhe koncertet me më së shumti 150 shikues, por vendosi për qasje më të kujdesshme në kohën kur edhe vendet fqinje, Franca dhe Gjermania, gjithashtu i pezulluan planet për lehtësimin e masave.
“Rreziku për rritje të pakontrolluar të numrit të rasteve tash për tash është shumë i lartë për të lejuar lehtësime të mëtejme, sepse numri i rasteve është rritur përsëri që nga fundi i shkurtit”, thuhet në deklaratën e qeverisë zvicerane.
Për më tepër, shumë pak njerëz janë vaksinuar deri më tash për të parandaluar rritje të konsiderueshme të numrit të hospitalizimeve”, thuhet më tej në deklaratë.
Numri i rasteve të koronavirusit në Zvicër dhe Lihtenshtajn është rritur ditëve të fundit. Të enjten u regjistruan 1.750 raste për 24 orë, shumë më shumë se mesatarja ditore prej 1.285 rasteve që është shënuar në shtatë ditët e fundit, shkruan The Guardian.