Bashkimi Evropian përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është duke ndihmuar Norvegjinë që t’i dërgojë mbi 180,000 doza të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë, pas kërkesës së Kosovës për ndihmë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
“Komisioni i bashkërendon dhe financon deri në 75% të shpenzimeve për transportimin e kësaj asistence”, thuhet në njoftim.
Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar në të gjithë ne.
“BE-ja është e përkushtuar që të ndihmojë në ndarjen e vaksinave në mbarë botën – ne mund ta mposhtim pandeminë vetëm nëse veprojmë së bashku. E falënderoj Norvegjinë për ofertën bujare të saj për Kosovën. Qendra jonë e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave është e gatshme të ndihmojë për ta lehtësuar ndarjen e mëtejshme të vaksinës”, u shpreh Lenarçiq.
Që nga fillimi i pandemisë, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së e ka bashkërenduar dhe bashkëfinancuar dorëzimin e 140,000 maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse personale, si dhe dezinfektuesve, gjeneratorëve të oksigjenit dhe testeve antigjen nga Sllovenia, Çekia dhe Franca në Kosovë.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së është njëri nga mjetet që ka qenë i dobishëm për ofrimin e mbështetjes për vendet që kanë kërkuar ndihmë gjatë pandemisë së coronavirusit. Përmes këtij Mekanizmi, BE-ja ndihmon në bashkërendimin dhe financimin e dërgimit të vaksinave, pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse dhe materialeve të tjera në mbarë Evropën dhe botë, në vendet që kërkojnë ndihmë.
“Deri më sot, Shtetet Anëtare të BE-së kanë ndarë mbi 2.5 milionë doza të vaksinave me vendet jo anëtare të BE-së përmes Covax-it dhe Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Kjo përfshin, për shembull asistencën e kanalizuar përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave, siç janë mbi 400,000 doza të vaksinave nga Rumania në Moldavi, mbi 50,000 nga Rumania në Serbi, 10,000 nga Kroacia në Butan dhe 55,000 nga Holanda në Suriname”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/