Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shqiptuar dënim me burgim prej 21 mujave ( 1 vit e 9 muaj) dhe 5000 euro gjobë, Florent Poroshticës, njërit nga administratorët e grupit “Albkings”.
Poroshtica akuzohet për dy vepra penale “vjedhja e identiteti dhe kredencialve” dhe veprën penale “shantazhi”.
Për veprën e parë Poroshtica akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurën E.S me nofkën “Liderja” ka shpërndarë dhe ka lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë pa autorizim fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave si dhe të dhënat personale siç janë numrat e telefonave, emrat dhe mbiemrat dhe kredencialet e tjera të këtyre të dëmtuarave.
Për rastin e veprës së “shantazhit” Poroshtica akuzohet se u ka kërkuar viktimave, familjarëve apo shoqërisë së tyre mjete monetare të ndryshme për t’ua fshirë postimet denigruese me ç’rast ka përfituar vlerën monetare në shumë totale prej 2,344.44.
Telegrafi mëson se i akuzuari i dytë këtë rast Edin Nevzadi ka ikur në Serbi. Sipas burimeve i njëjti pasi ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën ngarkohet ka ikur nga territori i Kosovës dhe deri tani ka qenë i pa arritshëm për organet e drejtësisë.
Nevzadi akuzohet për veprën penale të “shtrëngimit”.
Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024 pasi kishte pranuar fajësinë.
““Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që t’i kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, kishin deklaruar nga gjykata.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 janar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N. dhe E.S., lidhur me rastin e grupit famëkeq, “Albkings”.
Sipas njoftimit të organit të akuzës, aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore. /Telegrafi/