23 Nëntori 2021, është një datë që do të mbahet mend nga publiku në Maqedoni dhe Bullgari. Që në orët e para të mëngjesit mediat filluan të shpërndajnë informacione për një aksident të rëndë trafiku me autobusin e Besa Transit në rrugët bullgare. 44 pasagjerë vdiqën në aksident dhe shtatë mbijetuan. Por, derisa imazhet e ditës fatale zbehen për publikun e gjerë, kujtimet janë ende të freskëta për të mbijetuarit. Në mesin e tyre janë edhe Lulzim dhe Medina Sulejmani nga Presheva, të cilët folën për emisionin “360 gradë”.
Për organet e drejtësisë bullgare arsyet e ngjarjes janë të qarta. Por, që rasti të mbyllet zyrtarisht, siç thotë Prokuroria e Sofjes, familjarët e të vdekurve duhet të kontrollojnë dëshmitë.
“Nga ekspertiza rezultoi se shoferi e drejtonte autobusin me shpejtësi të madhe dhe të papërshtatshme, dhe shkak i incidentit në komunikacion me pasoja të rënda ka qenë gabimi njerëzor”, deklaroi Sijka Mileva – zëdhënëse e prokurorisë së Sofjes.





