Në rast të një tjetër mbylljeje për shkak të pandemisë, shumë biznese do të gjendeshin para kolapsit, ka paralajmëruar kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva në emisionin SOT në KTV.
Sipas tij, për çdo mbyllje ekonomike duhet të ketë alternativë tjetër për ndihmë.
Ai ka thënë se OHTK-ja ka pranuar masat e reja anti-COVID, përfshirë moslejimin e organizimit të ahengjeve, për shkak të shifrave alarmante të rasteve të vdekjeve e të infektimeve me virus.
Megjithatë, ka thënë se për shkak të kësaj mbyllje duhet të ketë ndihmë nga Qeveria. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar se mijëra punëtorë do t’i bëhen barrë Qeverisë.
“Fatmirësisht i kemi 17-18 mijë biznese në këtë sektor. Jemi industri me numër të madh të punëtorëve – 17-18 mijë punëtorë të rregullt – nëse tani bëjmë masa më drastike mundet të vijë te zvogëlimi i numrit të punëtorëve. Por ne duhet të fokusohemi tani te pjesa në rrezik – ajo e pandemisë. Ka dalë nga rendi. Kemi numër të madh të vdekjeve e rastesh e duhet të sensibilizohemi. Humbjet janë evidente. Nganjëherë, krijohet përshtypja që veç ne kemi humb. Kanë humbur edhe të tjerët. Çdo masë që është marrë ka ndikuar dukshëm në stabilitet. Nëse edhe një herë kemi masa drastike e s ‘intervenohet jemi para kolapsit. Kompanitë do të jenë para kolapsit. Paramendojeni 17-18 mijë po të mos munden të ripërtërihen 5-6 mijë. Ku janë tjerët, tatimet, e të tjera… ndikimi në ekonomi. Ata njerëz do t’i mbështeten shtetit për t’i ndihmuar. Do të bëhen barrë e shtetit”, ka thënë Sogojeva.
Sipas Sogojevës, aktualisht rreth 30 për qind e bizneseve në hoteleri e turizëm s’do të mund të ringjallen pas pandemisë, për shkak të humbjeve. E nëse shtrëngohen masat, ai ka paralajmëruar se përqindja do të mund të rritet.
“Nëse masat shtrëngohen e nuk intervenohet me masa emergjente, ka gjasa që edhe mbi 50 për qind e bizneseve të falimentojnë e të mos funksionojnë pas kalimit të pandemisë”, ka deklaruar ai.
Sogojeva më tutje ka thënë se ndihma e Qeverive ka qenë e vogël për këtë sektor. Sipas tij, ka biznese që ende s’i kanë marr as pagat nga 170 euro.
Në fund, ai është shprehur se OHTK-ja s’është pajtuar me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, pasi, sipas tij, “pasi që në orën 9:30 mbyllen të gjitha, s’ke as ku të dalësh”.
Sogojeva ka thënë se ka kërkuar një takim zyrtar me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të marrë mbështetjen e tij për masa të reja, duke përmendur shtyrjen e kthimit të kredive nga bizneset.
Nga e hëna në Kosovë kanë hyrë në fuqi masa të reja anti-COVID, pas rritjes alarmante të shifrave me COVID-19. Gastronomia do të funksionojë në hapësirë e orar të kufizuar, ndërsa është bërë obligative sërish edhe bartja e maskave. Është shtyrë edhe fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator, për aq sa është paraparë të vlejnë masat e reja.
Aktualisht në Kosovë janë mbi 26 mijë raste aktive. Vetëm në tri ditët e fundit, si pasojë e virusit, kanë vdekur 82 persona. Në spitale e klinika po trajtohen mbi 1200 persona.