Një shtetase e huaj e infektuar me malarie është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit, pacientja, shtetase e huaj, është pranuar më 1 gusht 2026 në QKUK në gjendje tejet të rëndë shëndetësore, pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar.
Pas ekzaminimeve klinike, thuhet në njoftim, pacientja është transferuar në Klinikën Infektive për shkak të shenjave të një infeksioni të rëndë sistemik.
“Gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se pacientja kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike. Për këtë arsye janë kryer analizat specifike, të cilat kanë konfirmuar diagnozën e malaries. Menjëherë pas konfirmimit të diagnozës ka filluar trajtimi specifik antimalarik. Pacientja po trajtohet në Klinikën Infektive, nën përkujdesjen e infektologëve. Fillimisht, ajo ka nisur të komunikojë me vështirësi, ndërsa sot, më 5 gusht 2026, gjendja e saj është e qëndrueshme”- thuhet në njoftim.
Pacientja, sipas QKUK-së komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale.
Sipas njoftimit të QKUK-së, malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm, por zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Raste të malaries janë raportuar edhe më parë në Kosovë.
Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, sipas njoftimit të QKUK-së, gjatë periudhës 2022–2025 janë raportuar tetë raste.
Të gjitha rastet, të raportuara gjatë viteve 2022–2025, thuhet në njoftim kanë qenë të importuara dhe janë diagnostikuar te persona që kishin udhëtuar në vende të kontinentit afrikan ose kishin ardhur prej tyre.
Po sipas QKUK-së, deri më tani, në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të malaries.