Një shtatori është data e fundit kur Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati apo subjekti politik.
E, njëri ndër kushtet për certifikim janë edhe gjobat ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan FrontOnline.
Me 208 mijë e 350 euro janë dënuar të gjitha partitë politike në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti.
Por, si duket frika e mos certifikimit ka bërë që të gjitha këto gjoba nga subjektet politike të paguhen, shkruan FrontOnline.
Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për FrontOnline, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.
“PZAP-i ndaj subjekteve politike në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtura me 14 shkurt 2021 ka shqiptuar gjoba në shumë prej: 208,350.00 euro të cilat gjoba tashmë veç i kanë paguar dhe nuk kanë kurrfarë pengesa që të certifikohen për të marrë pjesë në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021”, ka deklaruar Desku, për FrontOnline.
Desku, ka treguar edhe shumën e gjobave që kanë pasur subjektet politike ndaj këtij institucioni.
“1. Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK është dënuar me 24,600.00 euro, ka paguar në tersi gjobat,
Lëvizja Vetëvendosje! – LVV është dënuar me 40,700.00 euro, ka paguar në tersi gjobat,
Partia Demokratike e Kosovës – PDK, është dënuar me 66,100.00 euro, ka paguar në tersi gjobat,
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës –AAK, është dënuar me 52,750.00 euro, ka paguar në tersi gjobat,
Lista Serbe, është dënuar me 2,200.00 euro ka paguar në tersi gjobat,
Nisma Social Demokrate e Kosovës – NISMA, është dënuar me 22,000.00 euro, ka paguar në tersi gjobat”, ka treguar Desku, për FrontOnline.
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një konferencë për media ku edhe ka treguar se do të dërgojë gjitha listat në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Mbrjotjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Doganën e Kosovës.
“Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve. Natyrisht se kjo po ndodhë edhe më shpejt dhe kjo do të krijojë më shumë kohë për këto institucione që të shqyrtojnë këto shkresa dhe të na kthejnë përgjigje. Po sipas planit operacional, do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht”, ka thënë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatis rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator.
Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator.
Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator./FrontOnline