Edhe pse punëtorët shpeshherë marrin lëndime trupore gjatë kohës që janë duke punuar, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Si pasojë e kësaj janë të shpeshta rastet kur punëtorët kërkojnë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të marra, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një objekt në fshatin Korishë të Prizrenit, ku një punëtor ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar frakturë në brinjë. Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 62-vjeçari është dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve që kishte marrë në vendin e tij të punës.
Si rezultat i denoncimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.