Nga një muaj paraburgim u ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë tre të dyshuarve për dallavere me rezerva shtetërore. Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica si dhe sipërmarrësi Ridvan Muharremi u arrestuan nën dyshime për dallavere me furnizim të rezervave shtetërore.
Një ditë më parë ata u arrestuan pasi autoritetet dyshojnë se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet.
Sipërmarrësi Muharremi është përfolur në publik për lidhje të forta me Vetëvendosje, përfshirë edhe afërsinë me kryeministrin Albin Kurti. Një numër takimesh me delegacione ndërkombëtare Qeveria i ka realizuar në restorantin e tij, me emër “Bukë e Zemër”. Ky lokacion u bë adresë e fundit e hetuesisë për bastisje. Aty forca të shumta të Policisë qëndruan për rreth një orë.
Në aktvendimin e Themelores, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se Lipovica dhe Gara dyshohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Muharremi për “dhënie të ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Media online Nacionale ka raportuar më parë se Muharremi ka qenë ndërmjetës në blerjen e vajit dhe miellit për rezervat shtetërore. Sipas këtyre raportimeve, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, ka bërë presion tek zyrtaret që të paguajnë paratë edhe pa u pranuar malli.
Hajdari për këtë çështje është deklaruar pasditen e së premtes, në një konferencë për media. Ajo ka mbrojtur zyrtarët e arrestuar e për biznesmenin Muharremi ka thënë se nuk e di se si ndërlidhet me këtë rast. Hajdari ka pranuar se në qershor sivjet MINT-i ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se “3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar”. Ajo është pyetur se në cilat raste lejohet pagesa e mallit pa u pranuar malli. Hajdari ka folur për avancat. Ka cituar Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit përkatës.
“Te Ligji për Ndarjet Buxhetore, neni 13, paragrafi 5, lejon avancat 100 për qind nga ndarjet buxhetore të vitit aktual, që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës…”, ka cituar ajo këtë ligj.
Por, në të njëjtin ligj ka dallim në formulim. Aty thuhet që avanca mund të jepet për projekte para liferimit të pajisjeve. Vaji e mielli janë produkte ushqimore.
“Lejohen avancat deri në një qind për qind (100%) nga ndarja buxhetore e vitit aktual, për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Avancat që kanë të bëjnë me projektet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës lejohen të mbesin të hapura edhe për vitet pasuese për ato projekte për të cilat liferimi i pajisjeve nuk mund të bëhet brenda një viti të rregullt fiskal”, thuhet në nenin e cituar nga ministrja Hajdari.
Ligji tjetër së cilit i është referuar Hajdari është ai i Prokurimit Publik. Ka përmendur nenin 3 të këtij ligji.
“Po ashtu Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës, është neni 3, sa më kujtohet, që e mundëson pagesën në avancë kur është çështje e sigurisë”, ka thënë ajo.
Por, neni 3 i të njëjtit ligj flet vetëm për rastet kur përjashtohet procedura e prokurimit dhe aty nuk flitet fare për avanca ose jo në pagesa.
E te ligji për Rezervat Shtetërore thuhet saktësisht se secila blerje për rezervat shtetërore duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit publik.
“Çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”, thuhet ndër të tjera në këtë ligj. “Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”.
Hajdari ka thënë së është shmangur prokurimi për shkak të krizës në furnizim e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Vlera e kontraktuar e mallrave për rezervë shtetërore ka qenë 10 milionë euro, ndërkaq sasia që dyshohet se nuk ka mbërritur është në masën 3 për qind./KOHA/