A.G. dyshohet për vrasjen e B.M. më 3 shtator në lagjen “Arbanë” në Prizren. Ai ishte arratisur për dy ditë, por u arrestua nga Policia në fshatin Tërpezë të Malishevës.
Gjykata e ka përshkruar në detaje se si ka ndodhur vrasja e rëndë, dhe ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar për caktimin e masës së paraburgimit.
“Me datë 2 shtator rreth orës 18:45 minuta, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri A.G., privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çasti që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri A.G., me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e sheh viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarat (bashkëshortja e viktimës, dhe vajza tetë vjeçare e viktimës), dhe të dëmtuarit R.M. dhe H.Sh., ashtu që i pandehuri A.G., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……. zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M., me ç’ rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’ rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, përderisa të dëmtuarat (bashkëshortja dhe vajza e viktimës), gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa të dëmtuarit R.M., dhe H.Sh., arrijnë të fshihen, më pastaj i pandehuri A.G., hip në automjetin e tij, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, deri në ditën e arrestimi me datë 04.09.2023. Deri me datë 4 shtator 2023, në shtëpinë e tij, në lagjen “Arbana”, i pandehuri A.G., , në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, mban në pronësi dhe në kontroll pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……., së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M., e të cilën armë policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë Komuna. e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.