Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit R.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: lëndimi i lehtë trupor, nga neni 185 par. 2 pika 1.1. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës – Gani Kastrati, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 26.01.2021 deri me datën 25.02.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.A., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datë 26 janar, i pandehuri R.A., i shkakton lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmton shëndetin të dëmtuarit Rr.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari dhe i pandehuri kanë përfunduar punën, të njëjtit hipin në autobus ku fillon fjalosja mes tyre dhe pasi zbresin nga autobusi i pandehuri R.A., e sulmon të dëmtuarin dhe e godet në bark me thikë, mjet ky i cili mund të shkaktoj lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rëndë të shëndetit, me ç ’rast të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore.
– Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Fakti që i pandehuri me të dëmtuarin njihen dhe janë kolegë në punë, të njëjtit edhe para një jave kanë pasur një konflikt verbal, ndërsa në ditën kritike fillimisht janë fjalosur në autobus, kurse më pas i pandehuri e sulmon duke e goditur me thikë në bark, argumenton faktin se raportet ndërmjet të të pandehurit dhe të dëmtuarit kanë qenë jo të mira edhe më parë dhe vazhdojnë të jenë edhe më tutje jo të mira, ky fakt forcon bindjen e gjykatës që i pandehuri sërish do të mund të vepronte në mënyrë të njëjtë apo në mënyrë edhe më të ekzagjeruar, që do të shkaktonte pasoja edhe më të rënda për të dëmtuarin apo personat e afërm të tij.
Prandaj, duke marrë parasysh faktet e lartë cekura, shihet se qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është mëse i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës penale, për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.