Gjykata e Prizrenit më 07.05.2025 e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasin turk, i cili dyshohet për vrasjen e vajzës së tij të mitur dhe plagosjen e vajzës tjetër dhe gruas më 06.05.2025 në një banesë në Prizren.
I pandehuri me iniciale M.G. po dyshohet për veprat penale – vrasje e rëndë, – vrasje e rëndë e ngelur në tentativë, dhe – armëmbajtje pa leje.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda,, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, – ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për të pandehurin M.G. (shtetas turk), e cila mund të zgjasë deri më datën 05.06.2025, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale: “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – njofton Gjykata e Prizrenit.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet së caktimi i masës se paraburgimit është bërë pasi janë marrë parasysh veprat penale të kryera dhe rrethanat se si ka ndodhur rasti.
“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer veprat penale, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprat penale, në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm” – thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Gjykata ka vlerësuar së masa e paraburgimit është e domosdoshme duke pasur parasysh se i pandehuri, shtetasi turk, nuk ka vendbanim të përhershëm në Kosovë.
“Caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare, dhe me lënien në liri, i pandehuri mund të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga institucionet e drejtësitë” – njofton Gjykata e Prizrenit.
Ndërkaq, Prokuroria e Prizrenit pretendon se i dyshuari, rreth 45-vjeçar, me dashje ka privuar nga jeta vajzën e tij 14-vjeçare, ka plagosur me thikë vajzën tjetër 10-vjeçare dhe gruan e tij, për çka ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Në kërkesën për paraburgim, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Prokuroria pretendon se i dyshuari, tani i arrestuar, kishte sulmuar vajzat e tij me thikë gjatë kohës kur ato ishin në gjumë.
“Me datë 06.05.2025 rreth orës 05:30 në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta fëmijën, anëtaren e familjes, të cilën e ka vajzë dhe jetonte në një shtëpi të përbashkët, duke venë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, në atë mënyrë që atë ditë posa e falë namazin e sabahut, hynë në dhomë ku ishin vajzat e tij, të cilat ishin ende në gjumë, merr thikën e llojit “Bajonet”, me gjatësi tehu rreth 23 centimetra me të cilën fillimisht sulmon vajzën e mitur 14-vjeçare e 11 muaj duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të qafës (fytit) me ç’rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë së Prizrenit.
Me këto veprime sipas Prokurorisë i dyshuari ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.
Pasi kishte vrarë vajzën 14-vjeçare, sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari kishte tentuar t’i privojë nga jeta me dashje edhe vajzën tjetër 10-vjeçare dhe gruan e tij.
“…më pas me të njëjtën thikë e godet në pjesë të qafës të dëmtuarën 10-vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të renda trupore dhe më pas me të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij në pjesë të fytyrës dhe të duarve duke i thënë fjalët: vajzat tona duhet të vdesin dhe të gjithë duhet të shkojmë në xhenet, unë do të mbysë edhe ty e pastaj edhe veten.”- thuhet mes tjerash në kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për caktim të masës së paraburgimit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale – vasje rëndë e ngelur në tentativë.