Përmes një komunikate për media Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të; sulmit, kanosjes dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Gjyqtarja e procedurës paraprake– Vjollca Buzhala, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 05.12.2020 deri me datën 04.01.2020.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Andaj në bazë të kësaj, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm sepse me qëndrimin në liri të të pandehurit, rrezikohet rrjedha normale e procedurës penale, ngase i pandehuri mund të fshihet apo të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, dhe të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri A.G., me datë 05.12.2020 rreth orës 17:30 në Prizren, me dashje i sulmon të dëmtuarit, në atë mënyrë që deri sa të dëmtuarit ishin ndaluar në vendin ku ka ndodhur ngjarja, i pandehuri me dashje i sulmon të dëmtuarit, në atë mënyrë që deri sa të dëmtuarit ishin ndalur në vendin e lartcekur i pandehuri fillimisht i ishte afruar të dëmtuarve duke i ‘u thënë ‘largohuni nga rruga, se jeni duke më penguar’ dhe më pas i pandehuri hynë brenda në shtëpi, merr një dru dhe me të njëjtin tenton ti godas të dëmtuarit.
Po ashtu nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi se i pandehuri me datë dhe kohë të njëjtë, i kanos të dëmtuarit, në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit ishin larguar nga aty, pas një kohë duke u kthyer të dëmtuarit për në shtëpi, i dëmtuari V.K., e hap dritaren dhe i thotë të pandehurit “pse ishte nevoja të gjuante me dru?”, i pandehuri ju drejtohet të dëmtuarve me fjalët “hajdeni ma qe knej” dhe nga brezi ka nxjerrë një pistoletë që më pas rezulton të ketë qenë lodër, mirëpo të dëmtuarit janë frikësuar duke menduar se është armë zjarri, me ç’ rast tek të dëmtuarit ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tyre.
Gjithashtu, i pandehuri A.G., me datë 05.12.2020 rreth orës 22:15, në Prizren gjatë kontrolli nga ana e zyrtarëve policor, është gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotike e llojit (kanabis) Marihuanë me peshe prej 1.5 gram.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit A.G., duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethana në të cilat janë kryer veprat penale, sidomos duke marrë parasysh faktin se i pandehuri fillimisht i ka sulmuar të dëmtuarit, dhe më pas edhe i ka kërcënuar, dhe pas arrestimit nga ana e Policisë, tek i pandehuri është gjetur një thikë me teh 8 cm, dhe një sasi e marihuanës, këto rrethana të pandehurin e paraqesin si një person shumë të rrezikshëm për rrethin dhe shoqërinë ku jeton.
Andaj duke marrë parasysh se raportet në mes të palëve (pandehurit dhe dëmtuarve) janë të acaruara për momentin, Gjykata ka vlerësuar se këto rrethana paraqesin rrezik se i pandehuri mund të përsërisë veprat e njëjta apo të kryejë ndonjë vepre tjetër penale të natyrës edhe më të rëndë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo masë është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, andaj ka vlerësuar se masa e caktimit të paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore, thuhet në komunikatë.