LAJME

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Korrik 2026, 15:32

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve M.J. dhe M.B., të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

 

Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj dy të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dy pandehurve, duke ua caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji secilit.

Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që, nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe shmangies nga përgjegjësia penale.

Duke marrë parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që ata të arratisen dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohej sigurimi i pranisë së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale.

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se, nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që ata të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë.

Për këtë arsye, Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit, për momentin, është masa e vetme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale në këtë çështje.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika