Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, gjyqtarja e procedurës Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për të pandehurin E.A., e cila mund të zgjasë deri më datën 07.08.2024, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi), nga neni 186 par. 5 lidhur me par. 3 pika 3.2, lidhur me par. 2 pika 2.1 të KP-së, dhe ndaj të pandehurit H.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, mosdhënia e ndihmës nga neni 188 par. 4 (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi të rrezikuar) dhe veprën penale moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre, nga neni 378 par. 1 pika 1.3 të KP-së.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
I pandehuri: E.A., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës (femurit) së djathtë të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e marra pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara.
Këso dore ka kryer veprën penale: Lëndimi i rëndë trupor (që ka rezultuar me vdekjen e një personi).
I pandehuri: H.B., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:55, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij të markës ‘……….. me targa të regjistrit: ……….., duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me anë të mjetit të rrezikshëm nga i pandehuri E.A:, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes ‘’Ortakoll’’, ku si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara viktima A.Th., ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë.





