Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se gjyqtarja e procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin B.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nen paragrafi 1.4 (privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake) te KP-së, dhe ndaj të pandehurit I.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 paragrafi 4 (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e personit të rrezikuar) lidhur me paragrafin 1 te KP-së.
Gjykata njofton se me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.





