Më 22 mars të muajit të kaluar, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndonëse qysh dy javë më parë kishte njoftuar se bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar kanë punuar rreth hartimit të Programit Qeverisës për katër vitet e ardhshme, shefi i ekzekutivit Albin Kurti ende nuk e ka publikuar atë, edhe pas një muaji në krye të ekzekutivit, shkruan Reporteri.net.
Seanca e vetme e mbajtur nga legjislatura e re, ishte ajo e jashtëzakonshme e thirrur nga partia e kryeministrit Albin Kurtit, Vetëvendosje për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhje.
Ky projektligj nuk ka arritur shqyrtohet fare, pasi ai nuk ka marrë votat e nevojshme prej 2/3 për t’u futur në trajtim në Kuvendin e Kosovës, duke shmangur procedurat e rregullta plenare.
Ndër vendimet e para të Qeverisë Kurti 2 ishte ashpërsimi i masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në mbledhjen që Qeveria mbajti më 5 prill u mor vendim që sektori i gastronomisë të mbyllet nga data 6 deri me 18 prill si dhe të kthehet ora policore nga ora 22:00.
Pas dy jave këto masa u lehtësuan, por duke mbetur në fuqi ora policore.
Kurti në ditët e para të qeverisjes paralajmëroi edhe kthimin e reciprocitetit me Serbinë.
Para zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kurti kishte paralajmëruar se është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh, kthimi i reciprocitetit me serbinë.
E 30 ditë pasi e ka marrë për herë të dytë në drejtim ekzekutivit, Qeveria ka paralajmëron serish se së shpejti do t’i kthejë në fuqi masat e reciprocitetit me shtetin serb.
Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, në një deklarim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ishte shprehur se “reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera”.
Ai ka shtuar se masat e tilla nuk do të vlejnë vetëm për Serbinë, por edhe për secilin shtet që vepron njëanshëm më Kosovën.
Për një muaj qeverisje Kurti 23 nga 34 dokumentet e publikuara nga qeveria e re e Albin Kurtit, janë emërime në pozita të reja qeveritare. Kurti deri më tani ka emëruar 22 zëvendësministra.
Në këto 30 ditë udhëheqjeje është vërejtur edhe mungesa e paraqitjeve të Kurtit para mediave.
Ai doli para mediave vetëm një herë në konferencë. Këtë e bëri më 5 prill, kur prezantoi masat anti COVID-19. /Reporteri.net