LAJME

Një i vdekur dhe një i lënduar pas një përleshjeje mes kushërinjve në Kobaj të Prizrenit

Një i vdekur dhe një i lënduar pas një përleshjeje mes kushërinjve në Kobaj të Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Qershor 2026, 14:12

Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një përleshjeje të ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 11:50.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një përleshje me mjete të forta ndërmjet dy familjeve, kushërinj mes vete. Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë, ka humbur jetën një mashkull rreth 27-vjeçar.

Ndërkohë, një person tjetër, babai i viktimës, rreth 57 vjeç, ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe drejtues të Stacionit Policor në Prizren dhe të Drejtorisë Rajonale të Policisë. Po ashtu, janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së personave të përfshirë në rast.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika