lDy persona gjenden pa shenja jete në rajonin e Prizrenit, policia ka nisur hetimet
Dy persona janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së diel në rajonin e Prizrenit. Për të dy rastet, Policia e Kosovës ka iniciuar hetime, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Rastet janë konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Policisë, rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40 në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, ku në banesën e saj është gjetur pa shenja jete një grua rreth 54-vjeçare. Ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e saj, ndërsa bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje.
Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50 në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, ku është gjetur pa shenja jete një burrë rreth 68-vjeçar. Edhe në këtë rast, ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen, ndërsa dyshimet e para janë se viktima ka kryer vetëvrasje.
Me autorizim të prokurorit kompetent kanë nisur veprimet hetimore, ndërsa me urdhër të tij trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sipas zëdhënësit Shaqir Bytyqi, të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes”.