Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e ndaluar më 2 dhjetor në kuadër të një hetimi për mashtrim që përfshin Shërbimin Europian për Veprim të Jashtëm dhe Kolegjin e Europës, u la e lirë gjatë natës, rreth orës 01:00. Lajmi u bë i ditur nga mediat italiane, si La Repubblica dhe Corriere della Sera.
Po ashtu, janë liruar edhe dy të arrestuarit e tjerë: Stefano Sannino dhe një drejtues i Kolegjit.
Sipas policisë gjyqësore federale belge, pas marrjes në pyetje, të tre personat u informuan zyrtarisht për akuzat ndaj tyre, të cilat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në tendera, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata u lanë të lirë pasi nuk konsiderohen rrezik për t’u arratisur.
Hetimi lidhet me pozicionin aktual të Mogherinit si rektore e Kolegjit të Europës. Dyshohet se Shërbimi i Jashtëm i BE-së, që ushtron funksionet diplomatike të Unionit, në vitin 2022 zgjodhi përmes një tenderi të dyshimtë Kolegjin e Europës për të organizuar Akademinë Diplomatike të BE-së, një program pilot 9-mujor për trajnimin e diplomatëve të rinj.
Pak para hapjes së tenderit, Kolegji i Europës kishte blerë një ndërtesë në Bruges për 3.2 milionë euro, në një periudhë të vështirë financiare për Komisionin Europian, prej të cilit përfiton shumicën e fondeve. Kjo ndërtesë ishte parashikuar të shërbente për akomodimin e studentëve pjesëmarrës dhe tenderin me vlerë 654 mijë euro kolegji e fitoi pas kësaj blerjeje, transmeton Klankosova.tv.
