LAJME

“Një dëshirë për rrugën time” realizohet edhe me banorët e lagjes Tusuz në Prizren

“Një dëshirë për rrugën time” realizohet edhe me banorët e lagjes Tusuz në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Gusht 2026, 11:03

Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vazhduar aktivitetet pjesëmarrëse me banorët e lagjes Tusuz në Prizren, duke bashkëbiseduar me qytetarët nga rrugët “Xhevat Berisha”, “Selajdin Berisha”, “Bashkim Suka”, “Ymridin Qengaj”, dhe zonat përreth. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të banorëve lidhur me hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës në lagjen e tyre.

 

Gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për identifikimin e problemeve, propozimeve dhe kërkesave të komunitetit. Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre lidhur me infrastrukturën dhe shërbimet publike.

 

Sipas EC-it, ndër çështjet më të theksuara nga banorët ishin mungesa e shportave për mbeturina, shtigjeve për biçikleta dhe këndeve të lojërave për fëmijë. Po ashtu, u kërkua krijimi i një parku të përbashkët për lagjen, mbjellja e më shumë pemëve, si dhe përmirësimi i ndriçimit publik në rrugët ku llambat janë të prishura ose mungon ndriçimi.

 

Gjatë bashkëbisedimeve thuhet se u ngritën edhe shqetësime që lidhen me infrastrukturën publike dhe qarkullimin. Banorët thuhet se kërkuan rregullimin e rrugëve dhe kalldrëmit në disa pjesë të lagjes, ndërtimin e trotuareve aty ku mungojnë, krijimin e parkingjeve për banorët, si dhe ndërhyrje në sistemin e kanalizimit, përfshirë kanalizimin për ujërat e reshjeve atmosferike.

 

Njëkohësisht, bëhet e ditur se u evidentuan vështirësitë që shkakton zaptimi i trotuareve nga automjetet, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Sipas njoftimit, banorët kërkuan gjithashtu përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara në disa rrugë të lagjes dhe ngritën shqetësime lidhur me praninë e qenve endacakë, duke kërkuar angazhim institucional për trajtimin e këtij problemi.

 

“Të gjitha komentet, propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim që ato të shqyrtohen dhe të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e hapësirave publike dhe cilësisë së jetesës për banorët e lagjes Tusuz. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika