Kanë nisur xhirimet e filmit më të ri “My godfather sent me an iPhone”, në regji të filmbërësit të mirënjohur, Samir Karahoda.
Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në rrjetet sociale Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi nis me një bisedë të babait (Ylber Ballata) dhe djalit të tij 12-vjeçar (Miron Karahoda), e realizuar përgjatë rrugës për në aeroport për të marrë një iPhone, dhuratë nga diaspora.
Tutje, biseda e tyre përgjatë kësaj rruge zgjerohet derisa trajtohet edhe dilema e qëndrimit apo largimit nga vendlindja.
Kjo bisedë e shtyrë nga ndikimi i emigrimit, një fenomen i nisur shumë e shumë vite më parë, por mjaft prezent edhe tash, e nxit djalin të mendojë për të mirat që mund të ketë ikja nga Kosova.
Ndërkaq ky film sjell një përzierje aktorësh profesionistë dhe joprofesionistë, duke përdorur një formë hibride tregimi, i cili po realizohet tërësisht në Kosovë.
Ky film do realizohet nga SK Pictures, i njohur për filmat si ‘Në mes’ , (Berlinale 2019) dhe ‘Pa vend’ (Cannes 2021, Sundance 2022 filmi më i mirë i shkurtër, i nominuar si filmi më i mirë i shkurtë Europian nga European Film Academy në vitin 2022), filmi ka për producent Eroll Bilibanin, organizatore Valmira Hysenin dhe montazher Enis Saraçi.
Ndryshe, ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Televizioni Kulturor Europian ARTE!