LAJME

Nisin punimet restauruese në ndërtesën historike të Shkollës së Mesme të Ulët “Ryzhdije” në Prizren

Nisin punimet restauruese në ndërtesën historike të Shkollës së Mesme të Ulët “Ryzhdije” në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Korrik 2026, 20:25

Kanë nisur punimet restauruese në ndërtesën historike të Shkollës së Mesme të Ulët “Ryzhdije” në Prizren, një objekt me vlera të veçanta historike dhe kulturore, ndërtuar në vitin 1896.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, e cila ka ndarë edhe fotografi nga inspektimi i punimeve në terren.

Sipas saj, ndërtesa, e cila dëshmon historinë e arsimit publik në Prizren dhe që më vonë kishte shërbyer edhe si spital i përgjithshëm, kishte mbetur për vite të tëra e dëmtuar pas vërshimeve, braktisjes dhe zjarrit që e kishte përfshirë në vitin 1992.

Punimet restauruese financohen nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa faza e parë ka nisur me pastrimin e hapësirës dhe përforcimin fillestar të strukturave të mureve. Më pas do të vazhdohet me zbatimin e projektit të restaurimit.

Gjatë vizitës në vendpunishte, zëvendësministrja Arapi Krasniqi, së bashku me përfaqësues të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve.

Ajo theksoi se restaurimi i kësaj ndërtese synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe rikthimin në funksion të objekteve që dëshmojnë historinë dhe identitetin e qytetit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika