Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, inauguruan punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, përkatësisht segmentit Arllat – Malishevë, me gjatësi afër 11 kilometra e 800 metra.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti tha se lidhja e qytetit të Malishevës me rrjetin rajonal dhe nacional të rrugëve, si dhe me autostradën “Ibrahim Rugova”, i jep këtij segmenti vlerën e rëndësisë strategjike.
“Me rehabilitimin dhe modernizimin e rrugës do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion, do të krijohen kushte më të volitshme për qarkullimin e mallrave dhe për zhvillimin ekonomik. Pra, përfitojnë edhe qytetarët edhe bizneset”, tha ai.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, vlera e investimit është afër 1.85 milionë euro, ndërsa afati për kryerjen punimeve është 150 ditë pune.
Siç bëhet e ditur, krahas asfaltimit, projekti mes tjerash përfshin: rehabilitimin e plotë të trupit të rrugës në pjesët e dëmtuara, sanimin e gjashtë zonave problematike me rrëshqitje të dheut, ndërtimin e strukturave mbajtëse në pikat kritike, rregullimin e sistemit të drenazhimit dhe largimit të ujërave sipërfaqësore, ndërtimin dhe rehabilitimin e kanaleve anësore, rregullimin e kyçjeve ekzistuese dhe lidhjeve me rrugët lokale etj.