Ambasada e Kosovës në Vjenë ka njoftuar se janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin në atdhe të tre shtetasve kosovarë që humbën jetën në një kantier ndërtimi në kryeqytetin austriak tri ditë më parë.
Sipas njoftimit të Ambasadës, në koordinim të ngushtë me familjarët dhe autoritetet kompetente austriake, trupat e pajetë të Asllan Musliut (49 vjeç), Istref Zekajt (46) dhe Pajtim Bajramit (36) janë nisur pasditen e sotme drejt Kosovës.
Ambasada ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo humbje e rëndë.
“Në këto momente të vështira, shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje”, thuhet në reagim.
Po ashtu, është shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët në Austri, të cilët, sipas ambasadës, treguan solidaritet dhe gatishmëri për të ndihmuar gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Ngjarja e së martës, sipas raportimit të mediave në Austri, ka ndodhur kur gjatë punimeve në betonimin e kulmit të një objekti është shembur një pjesë e konstruksionit, bashkë me skelet në të cilat kanë qenë duke punuar pesë punëtorë. Katër prej tyre vdiqën, tre prej të cilëve shtetas kosovarë.