Departamenti i Mjekësisë së Ministrisë së Mbrojtjes në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, sot ka filluar vaksinimin kundër COVID-19 të stafit të shërbimit mjekësor të FSK-së, përfshirë mjekët, infermierët si dhe stafin administrativ dhe mbështetës të saj.
Siç thuhet në njoftim, në Qendrën e improvizuar të vaksinimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, për të përcjellur nga afër realizimin e vaksinimit, sot ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga ana e drejtorit të Departamentit të Mjekësisë, kolonel Dr. Xhevdet Tahiraj dhe shefja e kabinetit të tij, Agime Gashaj. Dr. Tahiraj me stafin përgjegjës të qendrës përkatëse e informuan ministrin Mehaj me sistemin dhe procedurat e realizimit të vaksinimit në këtë qendër.




