Pas Tiranës e Shkodrës, radha i erdhi Vlorës. Në qytetin bregdetar ka nisur këtë të enjte procesi i vaksinimit për bluzat e bardha në Shqipërinë jugore.
Në nisje të procesit të vaksinimit, që do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit, ka qenë prezent edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit bëri me dije se në Vlorë kanë shkuar 200 doza vaksine për bluzat e bardha.
Krahas vaksinimit të mjekëve e infermierëve të spitalit rajonal, pritet që aty të marrin dozat e injeksionit edhe punonjësit e spitalit të Sarandës. Manastirliu u shpreh se për shkak të largësisë po mendohet hapja e një pike vaksinimi edhe në Gjirokastër. Manastirliu u shpreh se vetëm gjatë dy ditëve të para të kësaj jave janë vaksinuar më shumë se 600 mjekë dhe infermierë.
“Në dy ditët e para të vaksinimit të kësaj jave janë vaksinuar më shumë se 600 mjekë dhe infermierë”, tha Manastirliu.
E pranishme në ambientet e pallatit të sportit ishte edhe shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino. Ajo tregoi se deri më tani nuk është humbur asnjë dozë, ndërsa theksoi se në ditët në vijim do të nisë vaksinimi në Fier.
Po ashtu u mësua se këtë të enjte vetë Bino do të merrte dozën e vaksinës dhe se kishte zgjedhur Vlorën për ta bërë këtë. Ajo tregoi se kanë qenë shumë të paktë mjekët dhe infermierët që kanë refuzuar vaksinën.
“Në përgjithësi mes personelit mjekësor, shumë të pakët. Ata që e kanë kaluar ua kanë lënë të tjerëve, por edhe ata duhet të vaksinohen”, tha Bino.