Pas Tiranës e Shkodrës, radha i erdhi Vlorës. Në qytetin bregdetar ka nisur këtë të enjte procesi i vaksinimit për bluzat e bardha në Shqipërinë jugore.
Në nisje të procesit të vaksinimit, që do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit, ka qenë prezent edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit bëri me dije se në Vlorë kanë shkuar 200 doza vaksine për bluzat e bardha.
Krahas vaksinimit të mjekëve e infermierëve të spitalit rajonal, pritet që aty të marrin dozat e injeksionit edhe punonjësit e spitalit të Sarandës. Manastirliu u shpreh se për shkak të largësisë po mendohet hapja e një pike vaksinimi edhe në Gjirokastër. Manastirliu u shpreh se vetëm gjatë dy ditëve të para të kësaj jave janë vaksinuar më shumë se 600 mjekë dhe infermierë.





