Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar të mërkurën se ka transferuar në llogarinë e TRUST-it mjetet për rimbursimin e një pjese të kontribuesve, të cilët kanë tërhequr kontributet pensionale gjatë periudhës dhjetor 2020 – prill 2021, bazuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Sipas njoftimit, shpërndarja nëpër llogari të 12 mijë e 90 kontribuesve është realizuar nga TRUST-i gjatë ditës së sotme.
Në njoftim thuhet se, rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kanë dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023. Rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension më 2024, e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit më 2028.
Më 2020, u lejua tërheqja e 10 për qind të kursimeve dhe të drejtë rimbursimi kanë ata persona që në kohën e tërheqjes së mjeteve, nuk i kishin mbi 10 mijë euro të kursyera. Një tentim i dytë për tërheqje të mjeteve nga TRUST-i, nuk u përkrah nga Qeveria dhe Kuvendi sivjet./KOHA/