Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nisur të bëjë publikimin e vendimeve lidhur me apelet që i janë bërë nga subjektet politike dhe kandidatet pas shpalljes se rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky institucion deri më tani, ka aprovuar e hedhur poshtë disa të tilla. Në tri vendimet e para shihet që pakënaqësi ka pasur edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Tek Lëvizja Vetëvendosje, PZAP-ja ka vendosur që të rinumorëhen vetëm fletëvotimet për kandidat për deputetë nga radhët e kësaj partie në një vendvotim në Gjilan, pas kërkesës së kandidates Arbëreshë Kryeziu Hyseni. Ajo pretendon se në vendvotim në përshkrim total të votave është bërë një gabim nga ana e personit që e ka bërë përshkrimin. Kryeziu-Hyseni pretendon që votat e saj që në total janë 118 i janë përshkruar kandidatit tjetër të VV-së, Arbër Rexhaj. Asaj megjithatë i është refuzuar apeli me të cilin kërkonte rinumërim në disa vendvotime të tjera.
Sa i përket PDK-së, PZAP-ja ka kërkuar rinumërimin e fletëvotimeve për kandidatët e PDK-së në një vendvotim në Petrovë pasi kandidati Rrahman Jakupi është ankuar se i është bërë një ngatërrim në vota.
Në PZAP brenda 24 orëve, janë dorëzuar 208 ankesa. Ky institucion ka gjithsej tri ditë që të shqyrtojë e vendos për çështjet e ngritura. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t`i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre. Me përfundimin e procesit ankimor, KQZ-ja obligohet që t`i zbatojë të gjitha vendimet e dala, e tek më pastaj të procedoj me certifikimin e rezultateve.