Prokuroria Themelore në Prizren njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit U.D., dhe personit juridik “M.L.L.C’’për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, gjatë muajit gusht 2024 në Prizren, i pandehuri U.D., në cilësinë e drejtorit të kompanisë “M.L.L.C.”, gjatë aplikimit në procedurën e prokurimit publik me titull “Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit”, në vlerë prej 80,825.60 euro, ka paraqitur dokumentacion të rremë, përkatësisht një faturë në vlerë prej 4,775.00 euro, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues.
Sipas aktakuzës, dokumentacioni i paraqitur në kuadër të ofertës është verifikuar nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe është konstatuar se nuk ishte i deklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.





