Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër Zafir Berishës, të cilin e ngarkon për sulm ndaj zyrtarit policor, ka bërë të ditur prokuroria të hënën.
Sipas aktakuzës, më 8 qershor 2022, i pandehuri me dashje sulmoi zyrtarin policor Q.D. që ishte në detyrë.
“I dëmtuari së bashku me dy zyrtarë të tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar, kur kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe veturën e markës ‘Volvo’, pronë e të pandehurit. I dëmtuari në xhamin e veturës ka vendosur ‘njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje’. I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij kanos seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D.”, thuhet në komunikatë.





