Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave nën dyshimet se kanë kryer vjedhjen e dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit.
Të pandehurit Labinot Gruda dhe Kadri Shala akuzohen për disa vepra penale.
Gruda akuzohet për “keqpërdorim të detyrës”, “hyrje në sistem kompjuterike”, “vjedhje identiteti dhe pajisja e qasjes” dhe “shpëlarje parash”.
Ndërkaq Shala akuzohet për “shpëlarje parash”, “ndihmë” në ndërlidhje me “keqpërdorim detyre”.
Të dy dyshohen për shkaktimin e dëmit të Thesarit të Shtetit në vlerë prej mbi dy milionë eurosh.
Po ashtu është kërkuar konfiskimi i katër veturave që dyshohet se janë rrjedhojë e këtij aktiviteti, shuma e të hollave që janë ngrirë dhe të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar.
Në tetor të 2020-s ishin zhdukur dy milionë eurot nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para ishin se vjedhja qe kryer përmes sistemit elektronik. Ishin bërë katër pagesa në emër të tri projekteve rrugore.