Të hënën (5 korrik 2021) u publikuan rezultatet e Testit të Maturës, ndërsa kalueshmëria këtë vit arriti në 68.43 për qind.
Provimit shtetëror të maturës, këtë vit i janë nënshtruar mbi 23 mijë nxënës në të gjithë vendin, shkruan lajmi.net.
Nga rezultati i përgjithshëm (68.43%), 68.36 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 69.47 për qind në mësimin në gjuhën boshnjake dhe 74.77 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën turke.
Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njoftoi se këtë vit nga provimi janë larguar 69 persona, të cilëve u është anuluar testi.
Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit kalueshmëria del të jetë për një për qind më e madhe, ngase në afatin e parë të vitit 2020, kalueshmëria ishte 67.44 për qind.
Nga rezultati i lartpërmendur, 67.38 për qind ishte kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 77.32 për qind në gjuhën boshnjake dhe 62.44 për qind në gjuhën turke. Më 2020, në afatin e parë u testuan mbi 25 mijë nxënës, ndërsa 63 maturantëve iu anulua testi.
Në të dy vitet, pragu i kalueshmërisë ishte 40% nga 100 pyetjet që i përmbante provimi.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në një përgjigje për lajmi.net, vlerësojnë se duke pasur parasysh rrethanat në të cilat është zhvilluar procesi mësimor në vitin akademik 2020/21, për shkak të pandemisë COVID-19, rezultatet e Testit të Maturës janë relativisht të mira, por pritet që shumë shpejt të dalin me një raport vlerësues me një pasqyrë të detajuar të rezultateve të provimit shtetëror.
“Duke e ditur kushtet dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar procesi mësimor për vitin 2020-2021, si pasojë e pandemisë COVID-19, rezultatet e provimit Shtetëror të Maturës në përgjithësi janë relativisht të mira. Por, duhet theksuar se tani është duke u përgatitur një raport vlerësues, ku do të kemi pasqyrë të qartë dhe në detaje për rezultatet e maturës së këtij viti shkollor”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.
Meqenëse pandemia COVID-19 bëri që mësimi në këtë vit akademik të zhvillohet në skenarë të ndryshëm, kjo sipas Ministrisë ka reflektuar në rezultatin e testit.
“Viti shkollor 2020-2021 sigurisht që është përcjellë me sfida e vështirësi të shumta në shumë dimensione si pasojë e COVID-19, duke na kushtëzuar në organizimin dhe zhvillimin e mësimit sipas skenarëve të ndryshëm dhe isgurisht që kjo ka reflektuar edhe në arritjen e rezultateve të synuara, por ende nuk ka ndonjë vlerësim apo raport të detajuar se sa ka mundur të reflekton apo ndikon kjo situatë në arritjen e rezultateve të nxënësve”, thonë nga MASHTI.
Por, pavarësisht kësaj, kjo Ministri bazuar në raportet e qendrave të testimit dhe raportimin e Këshillit rinor (KYC) vlerëson se ka pasur progres lidhur me organizimin dhe menaxhimin e Provimit të Maturës Shtetërore.
“Këtë vit kemi pasur progres të theksuar në gjitha dimensionet lidhur me organizimin dhe menaxhimin e provimit Shtetëror të Maturës, këtë e dëshmojnë edhe raporte nga qendrat e testimit dhe raportimi i Këshillit rinor (KYC), të cilët në këtë proces kanë qenë në rolin e vëzhguesit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për lajmi.net.
Në anën tjetër, në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e këtij testi, Ministria e Arsimit liston disa sfida që i presin edhe viteve të ardhshme. Megjithatë një vlerësim i përgjithshëm i këtij procesi pritet të bëhet së shpejti, i cili do t’i ndihmojë lidhur me organizimin e Provimit Shtetëror të Maturës për vitin e ardhshëm.
“Akoma sfidë mbtet administrimi i testit, tendenca, për kopjim përmes pajisjeve teknologjike… Po ashtu, koncepti apo formati i testit dhe përgatitje e kërkesave duhet rishikuar. Pra, tani është duke u vlerësuar i gjithë ky proces dhe në bazë të analizave dhe vlerësimeve që do të dalin, do t’i përgjigjemi situatës në mënyrë profesionale lidhur me organizimin e maturës për vitin në vijim, pra duke u siguruar për një organizim të maturës sipas kritereve dhe standardeve të larta që garanton testim të besueshëm dhe real”, deklarojnë nga Ministria e Arsimit.
Në anën tjetër, eksperti i arsimit dhe njëherësh Drejtori i Institutit për Studime të Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja flet për problemin që shkakton rigoroziteti selektiv.
“Rigorozizeti selektiv në administrim të testimit mundëson që një grup i nxënësve të performojnë të vetëm, sipas protokolleve të thirrura të administrimit, e grupe të tjera, të shpërdorin, komunikojnë hapur dhe të arrijnë rezultat jo të vërtetë. Ky dallim vërehet edhe statistikisht mes grupeve të të njëjtës klasë, por edhe mes komunave dhe shkollave”, tha ai.
Sipas Qehajës, pandemia ka ndikuar në mësimnxënie, por jo edhe në rezultatin e Testit të Maturës.
“Ndikimi i pandemisë në mësim nxënie është evident, dhe veçanërisht për shkolla të mesme të larta, që ishin shumë të kufizuara në skenarë, mirëpo kjo nuk u shfaq si rezultat në testin e maturës pasi që rezultati vet nuk është reprezentativ i dijës së vërtet të nxënësve”, theksoi Qehaja.
Ai thotë se Testi i Maturës duhet të ndryshojë në format dhe llogaridhënie.
“Testi i maturës duhet të ndryshoj në format dhe llogaridhënie. MASHTI duhet të sigurojë që testi i Maturës të mos jetë padrejtësi në vlerësim që ndikon në rrugëtim në karrierë të të rinjve, por të jetë instrument i besueshëm i filtrimit për shkollim të mëtejmë universitar”, përfundoi Qehaja.