Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, njoftoi të premten se është miratuar Udhëzimi Administrativ për Kontrollimin Teknik të Automjeteve.
Siç bëri të ditur ai, përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen nga subjektet për kryerjen e kontrollimit teknik të automjeteve dhe procedurave tjera në përgjithësi.
“Gjatë kontrollimit teknik të automjetit do të bëhet monitorimi me video kamerë nga Ministria apo subjekti i autorizuar, me ç’rast do të sigurohen pamje nga fillimi i procedurës deri në përfundim të kontrollimit teknik të automjeteve, me qëllim të monitorimit të rezultateve të matjeve të automjeteve me linjë teknologjike”, shkroi Aliu në Facebook.





