Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), Enver Shabanit, drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i Komunës së Suharekës, për të cilët dyshohet se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.
Shabani dhe Kabashi dyshohet se kanë përfituar nga detyra e tyre duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik.
“Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin që ka bërë të ditur gazeta Insajderi.