Vetëm 170 punëtorë e kanë pasur guximin ta denoncojnë punëdhënësin e tyre për mos deklarim të vendit të punës në Administratën Tatimore të Kosovës. Nga janari deri më tani janë identifikuar 2 182 punëtorë të padeklaruar, punëtorë që nuk kanë kontrata pune dhe nuk u paguhen kontributet pensionale. Kështu kanë njoftuar zyrtarë të ATK-së, të cilët thonë se kanë pritur më shumë raportime nga ana e tyre për këto shkelje ligjore.
Administrata Tatimore e Kosovës ua ka krijuar mundësinë të gjithë punëtorëve, që nuk janë të deklaruar nga punëdhënësit e tyre tek ATK-ja, të verifikohen dhe ta denoncojnë punëdhënësin përmes një linku të publikuar në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës. Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, në një bisedë për Radio Kosovën tha se është shumë i vogël numri i punëtorëve që kanë deklaruar apo denoncuar punëdhënësin e tyre për mos deklarim.
“Nga fillimi kur e kemi lansuar këtë projekt e deri më tani kemi 171 punëtorë të cilët, pas verifikimit që kanë bërë, kanë denoncuar punëdhënësin e tyre. Prej dhjetorit deri më tani vërehet se numri nuk është i madh. Ne kemi pritur më tepër raportime, verifikime, mirëpo kemi një mos vetëdijesim të punëtorëve për benefitet dhe rëndësinë e deklarimit nga ana e punëdhënësit”, tha ajo.





