Për gati 15 për qind ka rënë niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve me performancën e kryeministrit Albin Kurti nga muaji maj i vitit 2021, deri në nëntor të 2022-s, sipas edicionit të 23-të të “Pulsit Publik” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ky raport, bazuar në anketën e opinionit në periudhën tetor-nëntor 2022, ka treguar rënie të kënaqshmërisë për performancën e të gjitha institucioneve kyçe.
Në raport bëhet e ditur se Kurti gëzoi nivelin më të lartë të kënaqshmërisë për performancë në anketën e majit 2021, pak pasi mori pushtetin. Atë kohë niveli i kënaqshmërisë për performancën e tij ishte 59.5. Megjithatë, niveli i kënaqshmërisë ka pësuar vetëm rënie. Në nëntor 2021, ai ra në 53.2 për qind, ndërsa në prill të 2022-s në 52.6 për qind. Anketa e fundit e tregon rezultatin më të ulët të kënaqshmërisë për performancën e Kurtit, që nga koha kur mori pushtetin. Në nëntor, 44.9 për qind e qytetarëve të anketuar ishin të kënaqur me performancën e tij.






