Nga 15 korriku i këtij viti pritet që të lejohen vizitat familjare për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë. Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga Specialja.
Familjarët e afërt, partnerët, fëmijët e prindërit, do të lejohen nga 15 korriku të vizitojnë të burgosurit në Hagë. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.
“Në lidhje me vizitat familjare personalisht, Sekretari ka informuar Gjyqtarin e Procedurës paraprake për një azhurnim mbi lehtësimin e Masave për Zbutjen e Rrezikut Covid në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, kanë bërë të ditur nga Specialja.
Përveç familjarëve të afërt, për anëtarët e tjerë pritet që vizitat të nisin nga gushti apo shtatori, nëse faza e parë vlerësohet si pozitive.
“Regjistruesi do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të angazhohet me Zyrtarin Mjekësor për të lehtësuar masat. Për më tepër, vizitat me video do të vazhdojnë me të afërmit e ngushtë të të paraburgosurve sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë Griep për Demokracia.com.