LAJME

Nesër premiera e shfaqjes “Pylli”, një udhëtim teatral mes realitetit dhe iluzionit

Nesër premiera e shfaqjes “Pylli”, një udhëtim teatral mes realitetit dhe iluzionit
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Prill 2026, 17:22

Në Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, nesër, më 28 prill, duke filluar nga ora 20:00, shfaqet premiera e dramës “Pylli”, vepër e dramaturgut francez Florian Zeller, e cila sjell në skenë një dramë të thellë psikologjike mbi marrëdhëniet njerëzore dhe krizën identitare.

Shfaqja trajton historinë e Pierre, një personazh që përballet me një krizë të thellë personale, i ndarë mes jetës familjare, karrierës dhe dëshirave që rrezikojnë të shkatërrojnë ekuilibrin e tij. Teksa përpiqet të ruajë stabilitetin e jetës së ndërtuar, ai përfshihet në një rrjet kompleks marrëdhëniesh, dyshimesh dhe tradhtish, ku kufiri mes së vërtetës dhe iluzionit bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Në këtë univers dramatik, realiteti fragmentohet dhe personazhet humbasin orientimin mes frikërave dhe dëshirave të tyre. Regjisori Erson Zymberi e sjell këtë vepër përmes një koncepti simbolik, ku “pylli” trajtohet si metaforë e mendjes njerëzore – një hapësirë ku individi mund të humbasë, por edhe të përballet me vetveten.

Në skenë do të paraqiten aktorët: Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Era Balaj – Liridona Shehu, Rifat Smani, Alban Morina, Zana Duraku dhe Alban Çela.

Ekipi realizues përfshin skenografinë nga Bekim Korça, përkthimin nga Shkëlzen Berisha, kostumografinë nga Njomëza Luci, muzikën nga Tomor Kuçi, koreografinë nga Gjergj Prevazi dhe dizajnin e dritave nga Yann Perregaux. Producent i shfaqjes është Burim Mustafa.

Të interesuarit mund të rezervojnë biletat duke dërguar SMS në numrin 044 259 712.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika