Deklarimet rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë morën sërish vëmendje të konsiderueshme këtë javë – pavarësisht se për të është diskutuar qindra herë që 11 vjet. Çfarë u bë shkas këtë herë?
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.
Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.
Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.
Cila është rruga përpara?
Pavarësisht se Kurti i bëri këto deklarata, ai është përfshirë në të kaluarën në diskutimet për themelimin e Asociacionit.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurti, si kryeministër, nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie.
“Mënyra se si do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet përmes Marrëveshjes mbi Asociacionin dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese – që si rrjedhojë kanë krijuar detyrim politik, por edhe juridik për Qeverinë për ta dërguar për shqyrtim statutin [e Asociacionit]”, tha Maliqi, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Maliqi konsideron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një asociacion sikurse ai ekzistues i komunave, “por një trup të modelit të ri dhe me kompetenca shtesë, që duhet t’i shtohet rendit juridik, e që për rrjedhojë kërkon rregullim dhe përfshirje të të gjitha niveleve ekzistuese të pushtetit”.
Ndërkaq, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë.
Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.
“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin”.
Historiku i Asociacionit
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.
Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.
E pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, i tha Radios Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor për Kosovën, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas saj, fakti që marrëveshjet për Asociacionin janë arritur në kuadër të dialogut, “nënkupton që secili propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së”.
Edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën, mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit është përmendur si pengesë në procesin e normalizimit mes vendeve fqinje.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dialogu i Brukselit ka ofruar zgjidhje praktike, “të cilat do t’i promovojnë të drejtat e të gjithë shtetasve të Kosovës, përfshirë ato të serbëve në veri të Kosovës”, prandaj ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Qeveria e Kosovës për ta sqaruar më tepër qëndrimin e Kurtit, por nuk mori përgjigje.