Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Voldymyr Zelenskyy, në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” dhe vizitës së këtij të fundit, më 28.02.2024 në Tiranë nënshkruan “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Sipas një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit e Shqipërisë, traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
“Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Zelenskyy i dorëzoi kryeministrit Rama “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen”- thuhet në komunikatë.
“Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas, – duke luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainënsi dhe duke vendosur theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të vecantë, të paqes e sigurisë”- theksohet tutje në kumtesë.
Zelenskyy po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që nis punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor më 28.02.2024.
Në këtë takim liderët pritet të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.
Kryeministri Rama dhe presidenti Zelenskyy nisën një takim kokë më kokë, në zyrën e Ramës, që vijon me takimin mes dy delegacioneve, të Shqipërisë dhe Ukrainës.
Që vizita e Zelenskyyt të përcillet pa ndonjë incident, Policia në Shqipëri në bashkëpunim me Gardën e Republikës, janë angazhuar me masa të rrepta sigurie, duke njoftuar se disa rrugë do të jenë të bllokuara në kohë të ndryshme gjatë lëvizjes se delegacionit nëpër kryeqytet.
Rreth orës 11:00, do të fillojë pritja e liderëve tek Pallati i Kongreseve, kurse rreth gjysmë ore më vonë, do të ketë fjalë hyrëse të sesionit nga Rama dhe Zelenskyy.
Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, përderisa prezent pritet të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Samiti për Ukrainën do të mbyllet me nje foto familjare në ora 13:00.
Zelenskyy ka mbërritur në Shqipëri më 27.02.2024. Aeroplani i presidentit ukrainas, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orës 23:00 të së martës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Në kundërpërgjigje të Rusisë, vendet perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë vendosur sanksione të ashpra.