Sot u nënshkrua marrëveshja tripalëshe ndërmjet KRU “Hidroregjioni Jugor” SH.A, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për implementimin e projektit “Dislokimi i rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit”.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeshefi ekzekutiv, Bekim Gashi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci.
Sipas njoftimit nga KRU “Hidroregjioni Jugor”, ky projekt është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike të Kalasë së Prizrenit, duke marrë parasysh problematikat e evidentuara më herët nga rrjedhjet dhe infrastruktura ekzistuese e rezervuarit.
“Përveç aspektit të ruajtjes së monumentit, projekti do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për lagjet Nënkalaja, Kurilla, pjesë të Tususit si dhe zonën e Spitalit, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Rezervuari aktual ka kapacitet prej 480 m³ ndërsa rezervuari i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1000 m³. Vlera e projektit parashihet të jetë rreth 450 mijë euro, ndërsa realizimi i tij pritet të përfundojë brenda këtij viti” – thuhet në njoftim.
KRU “Hidroregjioni Jugor” thekson se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë shërbimet ndaj konsumatorëve dhe njëkohësisht ruajnë vlerat historike e kulturore të qytetit tonë.