LAJME

Nënshkruhet marrëveshja e zbatimit për projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave”

Nënshkruhet marrëveshja e zbatimit për projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave”
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Korrik 2026, 17:01

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit kanë nënshkruar Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave”, i cili synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe të krijojë më shumë mundësi punësimi në Kosovë.

Sipas njoftimit të ministrisë, projekti do të fokusohet në përmirësimin e kushteve strukturore, individuale dhe sociale për gratë, me theks të veçantë te gratë nga zonat rurale dhe kategoritë më pak të përfaqësuara.

“Përmes këtij projekti do të mbështetet zhvillimi dhe përmirësimi i shërbimeve të punësimit, fuqizimi i kapaciteteve institucionale, orientimi në karrierë, aftësimi profesional dhe promovimi i politikave aktive të tregut të punës, me synim krijimin e më shumë mundësive për përfshirjen e grave në jetën ekonomike”, thuhet në njoftimin e MPFVLÇ-së.

Ministria bëri të ditur se projekti parasheh bashkëpunim të ngushtë ndërmjet MPFVLÇ-së dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, me qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve sociale dhe avancimin e politikave të punësimit.

Në kuadër të zbatimit të projektit, do të themelohet edhe një grup i përbashkët pune, i cili do të kryejë një vlerësim të nevojave. Bazuar në këtë vlerësim, do të planifikohen aktivitetet e mëtejshme në përputhje me objektivat e projektit dhe burimet në dispozicion.

“Marrëveshja është pjesë e bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e cila zbatohet në kuadër të marrëveshjeve dhe dakordimeve ndërmjet dy qeverive për bashkëpunim ekonomik dhe teknik, duke dëshmuar edhe një herë partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas ministrisë, projekti synon të kontribuojë në rritjen e përfshirjes së grave në jetën ekonomike dhe në forcimin e institucioneve që ofrojnë shërbime për punësim dhe zhvillim profesional.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika