LAJME

Nënkryetari i LDK-së, Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit duhet të mbetet përballje e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij

Nënkryetari i LDK-së, Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit duhet të mbetet përballje e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Korrik 2026, 11:44

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke thënë se përplasjet politike rreth mocionit duhet të trajtohen si çështje e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, me votuesit e tij.

Haziri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se analizat dhe qëndrimet publike të zyrtarëve e aktivistëve të ndryshëm, qoftë pro apo kundër, sipas tij, paraqesin më shumë pozicionime personale sesa shqetësim për të ardhmen e LDK-së.

“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, ka shkruar Haziri.

Ai ka kritikuar debatet e ashpra brenda partisë, duke thënë se LDK-ja ka pasur pasoja nga pozicionimet politike që kanë anashkaluar interesat e saj afatgjata.

“Bajagi ia kemi pa sherrin pozicionimeve, duke harru kënd e kemi familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë na përsëritet situata e njëjtë”, tha ai.

Sipas tij, procesi i fundit është nxitur nga tri degë dhe tre kolegë të partisë, ndërsa një pjesë e delegatëve janë ftuar të deklarohen përmes nënshkrimeve lidhur me kërkesën e paraqitur.

Haziri ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi në komunikimin publik, duke kritikuar, siç tha ai, gjuhën e ashpër dhe thirrjet për protesta nga disa aktivistë.

“Funksionarët edhe mund të pajtohen, por jo besimtarët në sjelljen e funksionarëve. Koha e ka dëshmu. Ma mirë me thanë na falni për gabimet e së kaluarës, se sa me vazhdu me gabime”, ka shkruar ai.

Nënkryetari i LDK-së ka theksuar se partia ka arritur sukseset më të mëdha kur ka qenë e bashkuar, duke kërkuar ruajtjen e unitetit dhe respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja.

“LDK ka shkaktu procese e ka realizu ëndrra kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtu që jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën, bashkëpatriotë. Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat”, ka thënë Haziri.

Haziri ka cituar një porosi të babait të tij hero, duke thënë: “Me dikënd që duhesh të pajtohesh, kurrë mos u idhno”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika